Aktualitet

Afrim Gashi: E përmbyllëm një vit të sfidave, i hyjmë një viti të sukseseve (VIDEO)

 

 

 

Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar aktivistë, votues dhe admirues të Lëvizjes BESA,

 

Jam sot këtu para jush në këtë fundvit, jo vetëm për t’jua uruar vitin e ri, por edhe për t’ju folur shkurtazi si ka qenë ky vit për Lëvizjen Besa dhe në syrin e Lëvizjes BESA, për të projektuar vitin e ardhshëm dhe për të shpalosur synimet tona për vitin që vjen.

Lëvizja BESA e filloi këtë vit me problemin që u shkaktua pasi që një grup u nda në bërthama dhe ideja e Lëvizjes, për të vazhduar pastaj me kongresin konsolidues, të parin për ne. Siç e dini, më 18 shkurt të këtij viti ne e organizuam kongresin e parë të Lëvizjes BESA me moton “Ideja vazhdon”, duke dhënë mesazhin se, pavarësisht goditjeve kadrovike, ideja nuk mund të goditet, sepse ajo jeton në mendjen dhe zemrat e atyre që e lindën BESËN. Kongresi përfundoi në mënyrën më të mirë, duke i zgjedhur organet drejtuese të Lëvizjes, Kryetarin dhe Kuvendin Qendror, ndërsa ky i fundit pastaj e zgjodhi Kryesinë Qendrore të Besës.

Pas këtij konsolidimi të brendshëm, Lëvizja BESA vazhdoi me zbatimin e politikave të saj. Kështu, pas ftesës së Kryeministrit të vendit, që edhe Lëvizja BESA t’i bashkohet shumicës parlamentare dhe të bëhet pjesë e pushtetit ekzekutiv, në një proces pak më të gjatë negociues, duke e vlerësuar momentin historik të integrimit euro-atlantik, që doli edhe si paradigmë politike e Besës në kongresin e saj të parë, ne më 1 qershor të këtij viti u bëmë pjesë e qeverisë, duke e marrë nën menaxhim Ministrinë e Kulturës. Ashtu siç ishim marrë vesh me Kryeministrin, insistimi ynë ishte që sa më shpejt të arrihet marrëveshja me fqinjin tonë jugor, që ashtu të hapet rruga euro-atlantike, sepse – siç e kemi thënë edhe në opinion – pjesëmarrja jonë në këtë qeveri është krejt tematike dhe vetëm për një arsye të vetme: ta ndihmojmë dhe ta shpejtojmë anëtarësimin e vendit në NATO. Në këtë drejtim, ne jemi të lumtur që sot qëndrojmë para jush ballëhapur, duke ju thënë se, ashtu siç premtuam, neve na ndajnë vetëm disa ditë deri në kalimin e pragut që të bëhemi pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. Arritja e Marrëveshjes së Prespës dhe procesi i vështirë i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend neve na gjeti aty ku dëshironte të na shohë votuesi jonë dhe, në përgjithësi, shqiptari i Maqedonisë. Ne u bëmë pjesë e historisë, duke e shkëputur këtë vend nga ndikimi antiperëndimor, për ta përafruar me SHBA-në, vendet e BE-së dhe Turqinë. Kështu e kemi përmbushur një pjesë të detyrimit dhe zotimit tonë dhe për këtë vërtet mund të them se ndjehem krenar që i takoj gjeneratës që po i jep fund tranzicionit.

 

 

 

 

 

Këtu po përsëris se ne do të vazhdojmë ta mbështesim çdo hap të këtij procesi, deri në votimin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese, duke mos lejuar në asnjë moment që dikush ta shfrytëzojë pakujdesinë për të imponuar agjenda të tjera.

Ajo që më bie ta them për vitin 2018 është edhe një moment që besoj se të gjithë tashmë e vlerësojnë. Mbase për herë parë në ekzekutiv, ne dëshmuam se mund të kemi ministër që, përveç përfaqësimit dinjitoz, mund të ketë edhe transparencë maksimale, nikoqirllëk familjar dhe, që po ashtu është e rëndësishme, ta ndalojë hakmarrjen politike. Ministri i Kulturës nga radhët e Lëvizjes BESA është tashmë shembulli i ministrit që kujdeset për buxhetin e ministrisë më shumë se për buxhetin e tij familjar, shembulli i ministrit që e lufton korrupsionin me të gjitha mjetet dhe shembulli i ministrit që të punësuarit në Ministri nuk i sheh nën optikën politike, por vetëm si profesionistë. Kështu, pas shumë viteve mospërfillje, shumë administratorë të Ministrisë së Kulturës tashmë janë avancuar, pa i pyetur kush se të cilës parti janë. Më në fund e ndaluam hakmarrjen politike dhe për këtë e përgëzoj ministrin Asaf Ademi, i cili është përfaqësimi më autentik dhe më i saktë i identitetit të Lëvizjes BESA. Në të vërtetë, të tillë janë të gjithë funksionarët e tjerë të Lëvizjes, të cilët janë ekzemplarët më të suksesshëm të qeverisjes së mirë në këtë qeveri. Zotimi jonë se do të kemi përfaqësim dinjitoz dhe shembullor, tashmë po bëhet realitet.

 

Të nderuar,

Ne po hyjmë në vitin 2019 me disa pika që janë vizioni jonë afatshkurtër, ndërsa janë pjesë e mozaikut tonë të përgjithshëm afatgjatë politik.

Në ditët e para të janarit ne presim që të përfundojë kontesti gjyqësor për pronësinë juridike të Lëvizjes BESA. Është ky një proces që është zvarritur një vit të plotë, por që tashmë është në fund. Nëse në këtë vend ka drejtësi dhe ajo gjykon pa anime, që nuk e pranon si fakt falsifikimin dhe mashtrimin, jam shumë i bindur se edhe kjo do të përfundojë në favorin tonë. Sidoqoftë, ne jemi të sigurt se, pavarësisht vendimit gjyqësor, ajo që nuk mund të vidhet, pronësohet dhe përvetësohet është ideja e Besës si koncept politik i përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoni.

Përveç kësaj, pasi që të përfundojnë ndryshimet kushtetuese, ne do të fokusohemi përsëri në kapacitetet e brendshme kadrovike, në fuqizimin e strukturave të Lëvizjes, në ngjeshjen e radhëve të organizatës dhe do të përkushtohemi në realizimin e programit tonë politik, që nënkupton angazhim më të madh në fushën e zhvillimit ekonomik, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe në fuqizimin e

 

 

arsimit. Ne jemi fort të bindur se, pas anëtarësimit në NATO, zhvillimi ekonomik dhe arsimi cilësor janë detyrimet më të larta patriotike dhe politike për ne, sepse vetëm kështu mund të shpresojmë ta ndalim migrimin masiv të rinisë sonë, që është bërë dhimbja jonë kolektive kombëtare për të gjithë qytetarët dhe për gjithë shtetin.

 

Po e përfundoj fjalën time, duke jua uruar vitin 2019, duke ju dëshiruar shëndet, punë të mbarë dhe suksese në të gjitha planet.

 

Urime dhe faleminderit!

 

 

Afrim Gashi,

kryetar i Lëvizjes BESA

 

 

 

Shkup, 28.12.2018

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Populare

To Top